Peter Pakult i ka dhënë lamtumirën Kukësit dhe Shqipërisë javën e kaluar dhe menjëherë ka gjetur një ekip në Austri. Në fakt nuk bëhet fjalë për një punë të mirëfilltë, por drejtimin e një ekipi të veçantë për një ndeshje të dielën, ku pjesë e lojtarëve që do të vihen nën urdhrat e tij do të jetë edhe Hamdi Salihi.

Tekniku austriak, pas mbërritjes në Austri, është kontaktuar nga ish-futbollisti Stefen Hofman, i cili i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur dhe këtë fundjavë organizon një ndeshje lamtumire me miqtë e tij me të cilët ka luajtur te Rapid Vjena apo gjatë karrierës.

Pakult, si ish-trajneri i Rapidit ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë dhe të dielën do të jetë në stadium si tekniku i këtij ekipi që ka në përbërje lojtarë e ish-lojtarë, mes të cilëve edhe emra shumë të njohur si Ouen Hargrivs apo Karten Janker.

Në këtë ndeshje do të jetë i pranishëm edhe Hamdi Salihi, i cili ka luajtur përkrah Hofman në vitet kur ai aktivizohej te Rapidi i Vjenës, me trajner pikërisht Peter Pakult. /vipsport/