Ashtu siç ishte paralajmëruar nga ana e Bashkisë Shkodër, në ditët e para të janarit ka nisur heqja e parketit të pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Problemet që ky parket ka shfaqur që në momentin e shtrimit të tij, pat sensibilizuar drejtuesit e institucionit të pushtetit lokal të cilët nuk I kanë fondin firmës që u mor me shtrimin e tij. Në kushte të tilla, është urdhëruar heqja edhe njëherë e të gjithë parketit.

Puna ka nisur paraditen e së hënës teksa parketi po hiqet gradualisht dhe njëkohësisht mendohet që të hiqet edhe shtresa që ka qenë poshtë tij e cila nuk ka lejuar ajrosjen. Megjithatë, ky nuk duket të jetë problemi kryesor I të gjithë asaj çfarë ka sjellë çarjen herëpashere të parketit. Kjo gjë ka ndodhur edhe ditët e fundit dhe mjaftojnë pamjet e sotme për të kuptuar më së miri atë se çfarë ka ndodhur në këtë impiant sportiv. Sipas specialistëve, nëse nuk do vihet një bazament gome poshtë pjesës së drurit ku montohet pastaj parketi, sërish mund të krijohen probleme me të, nisur nga lagështira. E rëndësishme është që parketi do të hiqet edhe njëherë I plotë dhe shpresohet që të montohet sërish, por me parametrat normalë. Investimi prej 40 milionë lekësh I Bashkisë Shkodër vitin e kaluar u konsiderua një sukses sepse kishte vite që mungonin investimet në infrastrukturën sportive por çarja herëpashere e tij bëri që të krijoheshin jo pak probleme, aq sa tashmë firma përkatëse është detyruar nga ana e këtij institucioni ta heqë të gjithë parketin dhe ta vendosë sërish, këtë herë në kushtet e duhura. Të gjithë shpresojnë që zhurma e madhe e krijuar rreth tij, të përfundojë njëherë e mirë. Punimet për rivendosjen e parketit pritet të zgjasin 20 ditë.
Gjergj KOLA