Kur dukej se gjërat po shkonin mirë tek Vllaznia, pasditen e sotme ndërkohë, planet e stafit teknik janë trazuar disi.

Një nga lojtarët më të rëndësishëm të saj, pikërisht sulmuesi Xhevahir Sukaj, ka ndjerë një shqetësim muskular dhe për këtë arsye, e ka ndërprerë stërvitjen në mes.

Nga sa bëhet e ditur, ai gjatë një goditje në portë, ka ndjerë shqetësime në pjesën e prapme të kofshës.

Si rrjedhojë, ai pasi është konsultuar me trajnerin Gjoka dhe fizioterapistin Haxhaja, ka lënë fushën e “Loro Boriçit” dhe ka nxituar drejt dhomave të zhveshjes.

Padyshim që kjo gjë ka alarmuar të gjithë sepse siç duhet, Sukaj është sulmuesi kryesor i Vllaznisë megjithatë ende nuk mund të thuhet nëse do të mungojë apo jo në Vlorë.

Gjendja e tij do të shihet edhe nesër në seancën e fundit dhe më pas do të vendoset për këtë gjë.
© shkodrasport.com