Laçi është i destinuar t’i nënshtrohet një revolucioni të shpejtë në ekip në prag të fillimit të sezonit të ri në Abissnet Superiore. Pas eleminimit në turin e dytë të Conference League nga Petrokub Hinçesti, “hemorragjia” ka qenë e dukshme në kampin kurbinas, ku bën pjesë edhe trajneri Shpëtim Duro.
Pas shkarkimit ose dorëheqjes së Duros, Laçi ka mbetur pa trajner dhe në këto kushte, drejtuesit kurbinas kanë nisur bisedimet me disa trajnerë të paangazhuar për të marrë drejtimin e skuadrës. Kështu, trajneri shkodran Edi Martini është një nga emrat e lakuar.
Martini ka qenë edhe më herët trajner i kurbinasve, prandaj ai ka qenë edhe një nga emrat e lakuar mes drejtuesve. Trajneri shkodran e ka drejtuar Laçin nga 21-shtatori i 2008 dhe deri më 1-qershor 2009, kur u largua nga kurbinasit.
Martini e njeh mirë ambientin dhe mentalitetin e klubit kurbinas, prandaj trajneri shkodran ka qenë një nga emrat e lakuar për këtë detyrë. Me një emërim të mundshëm tek Laçi, ai do të veshë sërish “tutat” duke iu kthyer trajningut, që i mungon që nga edicioni i kaluar, kur u largua nga rradhët e Teutës si trajner.
Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë rrjedhe do të marrin bisedimet, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë vendim tjetër surprizë nga drejtuesit e klubit, pasi edhe Gentian Mezani është një emër favorit mes kandidatëve për stolin kurbinas.
Në sezonin e shkuar, Laçi u drejtua nga katër trajnerë. Sezoni nisi me malazezin Dejan Vukiçevic, më pas një ndeshje e drejtoi Sero Noka, për të vijuar me Mirel Josën, që stafetën ia la Shpëtim Duros.
Maringlen ZHIVANI