Ish-mesfushori i njohur i Partizanit, Ledio Pano, mendon se barazimi në derbi duhet të shihet si një sukses për Tiranën. Ai ka kritikuar lojën e të dy skuadrave, por sidomos të bardhebluve.

“Ishte derbi më i dobët që mund të kemi parë në vitet e fundit. Sigurisht një pjesë e parë shumë e dobët, me shumë gabime nga të dy ekipet. Në pjesën e dytë, Partizani e mori veten dhe ishte i vetmi ekip që bëri diçka në lojë, deri në minutën e fundit kur u dha ajo penallti.

Nuk e kam parë Tiranën me dobët se sot. Partizani mund ta fitonte ndeshjen, vetëm për pjesën e dytë. Zhgënjim total. Tirana duhet të jetë e kënaqur me pikën. Por Partizani dukej më i qetë se vendi i parë në klasifikim i jepte një farë relaksi. Ato që prodhoi, i prodhoi në mënyrë spontane dhe konkrete. Por Tirana dukej që kishte trysni.

Nëse bëhet fjalë për kujt i vjen era futboll, ishin vetëm tre lojtarë nga të dy skuadrat, Hadroj, Rrapaj dhe Kote i cili është gjithësi i ri. Të tjerët pastaj m’u duken si amatorë, sidomos nga Tirana, që nuk e prisja nga derbi i parë, mendoja një Tiranë shumë të fortë dhe përgatitur për derbin, Nuk doli në asnjë moment në lojën e saj, me gabime amatoreske nga të gjithë lojtarët dhe besoj se pjesa e parë është për t’u harruar”, tha Pano për RTSH.