Për sezonin e dytë radhazi Partizani ka arritur të gjejë stabilitet dhe siguri për portën falë Pano Qirkos.
Portieri po arrin të tregojë rritje të ndjeshme dhe ka vendosur veten mes më të mirëve në Superiore. Në prag të derbit me Tiranën ai flet në një prononcim për mediat, ku tregon për përgatitjen e derbit, rivalin më të rrezikshëm dhe shokun e ekipit që gjuan më fort.
Një nga portierët më në formë për Superioren dhe mjaft i vlerësuar nga specialitet. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Mund të them se kampionati është i rëndësishëm për mua, sepse po shfaq veten time. Falënderoj edhe shokët e ekipit, sepse pa një ekip të mirë portieri nuk mund të bëjë përpara. Kemi fatin që kemi një kompleks me kushte të mira dhe një trajner si Kushtrimi (Voka), mjaft i pasionuar. Jemi ndër ekipet më në formë të kampionatit dhe kjo ndikon edhe te statistikat e mia. Portieri për atë punë është, që në momente kyçe të reagojë dhe të ruajë portën.
Renditeni të parët në tabelë. Sa e vështirë është ta ruash kreun?
Ky kampionat është shumë i vështirë, sepse thuajse të gjithë ekipet janë atyaty. Kemi bërë një kampionat të mirë deri më tani dhe për këto rezultate që kemi arritur, atmosfera është pika kyçe.
Luani me tifozë derbin me Tiranën. Sa pozitive është?
Ky është lajm shumë i mirë, sepse derbi luhet për tifozët, janë lojtari i 12-të. Janë tifozeri shumë të mira, shumë të zjarrta dhe për ne është motivim i madh të luajmë në një stadium plot me tifozë.
Do ta ruani serinë e fitoreve kundër Tiranës?
Në gjithnjë hyjmë në ndeshje për të fituar. Pastaj është edhe çështje fati. Për mendimin tim derbi është ndeshje pa favoritë. Është e luftuar, mund të ketë episode dhe fiton ai që gabon më pak. Pres një ndeshje spektakolare.
Keni analizuar ndonjë ndeshje të Tiranës? Ku i kanë pikat e forta dhe të dobëta?
Në i marrim ndeshjet një e nga një. Tani është fillim jave dhe gjatë ditëve do të analizojmë dhe studiojmë kundërshtarin. Është një rival që në derbi shfaqet gjithnjë i vështirë. Trajneri e di se ku janë pikat e forta dhe të dobëta të tyre, por mendoj se do të futemi të motivuar dhe të përqendruar. Këto janë pika kyçe në një derbi.
Sa vlen një fitore në derbi?
Çdo ndeshje vlen tri pikë. Por për ne derbi është i veçantë, sepse luhet për tifozët. Kemi tifozeri të veçantë, sepse edhe në momentet tona më të dobëta na mbështet dhe është pikë kyçe e jona. Pres një derbi të luftuar, të cilin duhet ta fitojmë për tifozët tanë.
Po veten tuaj, e keni analizuar?
Me trajnerin bëjmë gjithnjë analizën e ndeshjes së kaluar, në këtë rast me Laçin. Aty analizojmë lëvizjet tona dhe korrigjojmë ato çka është e nevojshme.
Ku mendoni se duhet të përmirësohet Partizani?
(Qesh) Këto janë sekrete, sepse kemi një ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Jemi në një moment ku çdo repart funksionon si duhet, nga mbrojtja në sulm. Duhet të jemi sa më në ekuilibër dhe pastaj goli mund të vijë në çdo moment, sepse kemi cilësi. Kemi lojtarë shumë të mirë në mesfushë e mbrojtje dhe unë ndihem shumë rehat. Kam mbrojtje shumë të mirë përpara. Kemi bashkëpunuar mirë, flasim me njëri-tjetrin. Kemi atmosferë shumë të mirë në ekip dhe kualitete që mund të vendosin ndeshjen si Rrapaj, Cara, Keko, Mba. Kemi shumë lojtarë të fortë dhe janë në gjendje të bëjnë shumë mirë.
Në derbi është më e rëndësishme përgatitja taktike apo psikologjike?
Taktika është shumë e rëndësishme, por edhe aspekti emocional. Këtu është një klub, ku çdo gjë nis me qetësi, nuk ka presion dhe derbin e marrim si ndeshje të radhës.
Në opinionin sportiv jeni vënë përballë Abalorës dhe Dajsinanit si portierët më në formë të momentit. Si e shihni konkurrencën me ta?
Jo vetëm ata, por të gjithë portierët në këtë sezon në Superiore po bëjnë shumë mirë dhe është krijuar një konkurrencë mjaft e madhe. Sa u përket Abalorës dhe Dajsinanit, kam mendime shumë të mira për ta, sepse janë dy portierë, që kanë kontribuar dhe në të gjitha javët kanë qenë në ndihmë të ekipit, duke shpëtuar shumë pikë për ekipet e tyre. Është një kampionat, ku portierët janë në formë dhe po japin shumë kontribut në ekipet e tyre.
Kush është sulmuesi, që sipas jush, që ka qenë më i rrezikshmi në këto vite në Kategorinë Superiore?
Të them të drejtën, sulmuesi që më ka vënë më së shumti në vështirësi ka qenë i ndjeri Rafael Duamena. Kishte shumë cilësi dhe kur ai ishte në lojë duhej të ishe i fokusuar në çdo moment, sepse godiste në çdo pozicion, ishte i aftë që të driblonte dhe ishte eficent në çdo moment të lojës. Mendoj se ai ka qenë sulmuesi më i fortë që kam pasur ndonjëherë përballë.
Po nga shokët e ekipit te Partizani, kush është më i rrezikshmi?
Kam Albers Kekon, që godet shumë fort dhe më ka dëmtuar nja dy herë. Është një sulmues shumë i mirë dhe ka cilësitë e duhura për të ecur përpara.
Punoni me një trajner si Kushtrim Voka. Si është puna me të?
Që në vitin e parë që kam ardhur, kam ndjerë shumë ngrohtësi dhe përkushtim ndaj meje, çka tregon se është i apasionuar shumë pas punës së tij. Është shumë profesionist, ka karakter të fortë dhe kërkon të ma përcjellë edhe mua. Më ka udhëzuar në shumë gjëra dhe mendoj se më ka ndihmuar të përmirësohem në aspektin sportiv, por edhe sa i përket karakterit. Ne jetojmë në të njëjtin hotel dhe jemi thuajse gjithë kohës së bashku, duke punuar dhe rregulluar shumë elemente. Portieri ka shumë punë për të bërë, futbolli asnjëherë nuk ka fund. Kemi vendosur disa objektiva me njëri-tjetrin për tu përmirësuar dhe do të shohim deri në fund të sezonit.
Ju keni luajtur edhe me Tiranën. Ku ndryshon të luajturit me bardheblutë krahasuar me Partizanin?
Kur kam qenë te Tirana kam qenë djalë i ri në moshë, nuk kam pasur minutat e duhura dhe ndoshta çelësi i suksesit ka qenë që u largova dhe tregova vlerat e mia në një ekip tjetër, duke u ngjitur shkallë-shkallë, duke përmirësuar veten dhe duke ngritur nivelin. Partizani është një klub që i ka të gjitha kushtet, ka mbështetjen e tifozërisë dhe kushtet sportive që ndikojnë për të ecur para. Mendoj se Partizani është një ndër ekipet që disponon çdo kusht për të ecur para, nuk ka presion dhe ke mbështetje në çdo drejtim. Mendoj se jam pjesë e një prej klubeve më profesioniste në Shqipëri.
Ku pritet me më shumë presion derbi, te Tirana apo te Partizani?
Mendoj se te Tirana. Kurse Partizani është një klub që e merr me qetësi ndeshjen, si sfida e radhës, edhe kjo ndoshta përbën edhe suksesin, për të bërë që lojtarët të jenë më të fokusuar dhe të përqendruar. Ne futemi me emocione pozitive në derbi.