Trajneri Christian Panucci nuk ka pranuar të flasë për “Supersportin” pas ndeshjes së sotme me Jordaninë. Kombëtarja shqiptare e mbylli në barazim pa gola miqësoren e luajtur në “Elbasan Arena”, por nuk ishte kjo arsyeja pse numri 1 i stolit kuqezi injoroi gazetaren Ilda Bejleri pas takimit.
Prej kohësh përflitet se italiani ka shfaqur pakënaqësi sa herë që kamerat e kësaj platforme televizive përpiqeshin të siguronin pamje gjatë stërvitjeve dhe jo vetëm.
Ndoshta ka edhe diçka më shumë, sepse ai foli për RTSH-në, madje gjerë e gjatë, por injoroi gazetaren Ilda Bejleri, e cila nuk ia përtoi t’i thotë disa fjalë për këtë reagim të pazakontë në medien shqiptare.
“Panucci vazhdon me arrogancën e tij duke mos pranuar të flasë për ne, edhe pse më parë dha një intervistë”, – u shpreh Bejleri, e cila nuk mund ta fshihte nervozizmin e saj.
Tensioni vazhdon në kombëtare, madje edhe jashtë saj. Kjo nuk i hyn në punë askujt./telesport/