Humbja me Kosovën ishte e dyta radhazi për kombëtaren shqiptare dhe për mënyrën se si erdhi lë shumë vend për diskutim.
Kuqezinjtë u kthyen shumë vite pas në kohë duke luajtur si amatorë. Trajneri Christian Panucci thotë se fajin për këtë humbje e ka plotësisht ai, pasi nuk e ka motivuar aq sa duhet ekipin.
Gjithsesi edhe zgjedhjet e tij teknike lenë shumë vend për diskutim.
“Arsyet e humbjes janë se nuk luajtëm, nuk luftuam, nuk patëm zemër. Ishte gjithçka bosh. Fajet i kam unë, kritikat janë të drejta.
Në këto momente duhet të jemi të qetë, por edhe duhet të kemi kujdes mos prishim gjithçka dhe sot kemi vuajtur më shumë sesa me Italinë apo Spanjën. Shpresoj të mos jetë kjo Shqipëria e vërtetë.
Nuk e kam karikuar vetë skuadrën mos ta shtyja përpara, sepse mendoja se ndaj Kosovës nuk ishte e nevojshme”, tha Panucci.
Pozicionimi i lojtarëve – “Kemi qënë shumë të shëmtuar për të qenë Kombëtarja e vërtetë. E theksoj unë i kam përgjegjësitë.
Disa lojtarë nuk ishin në pozicionet e tyre dhe duhej të improvizoja, si Ndoji, Memoalla apo Lenjani që nuk ishte në kushte të mira.
Luajti Lika sepse Lenjani dhe Memolla ishin me probleme dhe sepse nuk kemi 150 lojtarë. Duhet parë ndeshja, sepse Qaka kërkoi zëvëndësim në minutën e 30-të. Isha i detyruar sepse doja të ndryshoja lojën”.
Skema 4-4-2 – “Taktika sot ishtë gjëja e fundit nga rëndësia, sepse në futboll duhet luajtur me zjarr dhe zemër dhe kjo e sotmja ishte gjëja më e shëmtuar, sepse të humbësh kështu të dhemb.
Fajin e kam komplet unë, sepse kam qenë i butë deri tani, por tani do ta shohin se si do sillem”.
Mungesa e karakterit – “Skuadra është, por duhet të guxojmë, këtu duhet të kesh karakter forcë për të luftuar. Këtu nuk është vend pune.
Shpresoj të jetë gabim nga fakti se është fund kampionati. Ndeshje të tilla nuk keni për të parë më, jua siguroj. Lërini lojtarët”. /EDS/