Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka dalë në konferencën e zakonshme të shtypit para ndeshjes me Izraelin, bashkë me kapitenin Ansi Agolli.

Ai ka folur për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me skuadrën kuqezi, për kundërshtarin dhe objektivin e dy ndeshjeve me Izraelin dhe Skocinë, si dhe për padinë ndaj ish-presidentit Bujar Nishani.

“Padia ndaj Nishanit? Kam vetëm një gjë për të thënë: njerëzit duhet të kenë respekt dhe të vlerësojnë punën e të tjerëve, jo t’i ofendojnë ata.

Skuadra është në gjendje të mirë, kemi punuar mirë këto ditë dhe jemi të gatshëm për të përballuar ndeshjen e nesërme me Izraelin. Për shkak të emergjencës kam grumbulluar edhe lojtarë që nuk kanë luajtur shumë.

Di të them se kam zgjedhur eksperiencën në këtë rast, duke marrë lojtarë si Basha, Lilaj, Memushaj. Kaçe? Ndoshta jeni keqinformuar. Ai nuk ka luajtur aq shumë sa ju pretendoni.

A janë vendimtare ndeshjet kundër Izraelit dhe Skocisë? Nuk është një pyetje për mua, pyesni presidentin e Federatës për këtë gjë.

Unë përgjigjem vetëm për ndeshjet që do të luajmë dhe jo për stolin tim. Uroj që nesër të kthehemi të fitojmë. Jemi përgatitur dhe shpresoj shumë që nesër të rikthehemi në paraqitjet pozitive dhe të marrim rezultatet e duhura.

Për formacionin do të vendos nesër se kush do të zbresë në fushë. Në një ndeshje të tillë kemi punuar me eksperiencën e skuadrës dhe vetëm nesër do ta zbulojmë se çfarë ka ndryshuar dhe çfarë do të ndryshojë në skuadrën e Shqipërisë. Të shohim.

Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë jo pak eksperimente, duke provuar shumë lojtarë të rinj, kështu që nuk mund të gjykohemi nga ato rezultate. Ndeshjet e vërteta fillojnë tani, me Izraelin dhe Skocinë.

Nuk kam diskutuar me italianët, por kam parë video të Izraelit dhe besoj se e kemi përgatitur mirë ndeshjen. Izraeli është një skuadër e re, me trajner të ri, prandaj nuk mund të them me siguri se si do të shkojë loja.

Ndeshja me Skocinë? Nuk dua të tregohem jo korrekt dhe të mos respektoj pyetjen tuaj (i referohet një gazetari skocez), por nuk do t’i përgjigjem pyetjes. Po mendoj vetëm për Izraelin, por Skocinë do të mendojmë më pas.

Për ne nesër do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë. I njoh lojtarët e Izraelit, i kam studiuar shumë dhe e përsëris, e kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen me ta. Janë të fortë fizikisht dhe kanë 2-3 elementë, që bëjnë diferencën.

Fusha do t’i tregojë të gjitha. Nesër do të kem kundër trajnerin austriak të Izraelit. E njoh mirë dhe ka bërë paraqitje shumë të mira në skuadrat që ka drejtuar. Për nesër i uroj shumë suksese!” – ka theksuar mes të tjerash Panuçi. /Vipsport/