Esin Hakaj para 10 ditësh zyrtarizoi largimin e tij nga Partizani. Mbrojtësi i majtë në një postim në rrjetet sociale shkruante: “Përshëndetje, sot zyrtarisht nuk jam më lojtar i Partizanit. Dua të falënderoj presidentin, drejtuesit, tifozët dhe shokët e ekipit për mbështetjen. I uroj suksese ekipit të Partizanit”.
Ky postim tashmë nuk është më në profilin e Hakajt, çka tregon se gjithçka është anuluar dhe mbrojtësi duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e të kuqve. Këtë vendim e pohon edhe fakti se mbrojtësi luajti dje në miqësoren ndaj Korabit, ku u aktivizua në pjesën e dytë.
Një ndërrim mendje nga ana e lojtarit, apo nga ana e Partizanit mbetet për tu parë, por është thuajse e sigurt se 23-vjeçari do të vazhdojë të jetë pjesë e të kuqve. Sezonin e fundit ai nuk luajti shumë me nën drejtimin e Lerdës dhe Sormanit dhe mbetet për tu parë sesi do të veprojë trajneri i ri, Ilir Daja në sezonin e ardhshëm. /vipsport/