Lojërat Olimpike “Paris 2024” janë në prag, teksa tashmë ka nisur numërimi mbrapsht i orëve. Në “Paris 2024” do të jetë e pranishme edhe Shqipëria, e cila shënon pjesëmarrjen e saj të 10-të në histori në Lojërat Olimpike. Ekipi kuqezi përbëhet nga tetë sportistë, teksa atyre në ditët në vijim do t’u bashkohet edhe atleti shkodran Franko Burraj, i cili vijon stërvitjen dhe do të niset më datë 29-korrik.
Lojërat Olimpike, siç dihet janë ëndrra e çdo sportisti dhe trajneri. Një ëndërr që tashmë është bërë realitet për atletin Franko Burraj, i cili do të konkurrojë në garën 100-metrave, teksa rekordmeni shkodran do të marrë pjesë në Olimpiadën e tij të parë në karrierë. Megjithatë, në evenimente të tilla si gjithnjë nuk mund të mungonin “çudirat shqiptare”.
25-vjeçari shkodran do të jetë në “Paris 2024” pa trajnerin e tij Bruno Rrotani, pasi këtij të fundit i është mohuar pjesëmarrja në Olimpiadë për mungesë kuotash. Në fakt, duket vërtetë absurde se si mund të ketë mungesë kuotash për një trajner, por kjo situatë nuk është risi për Shqipërinë në Lojërat Olimpike, pasi siç dihet kjo ka ndodhur edhe në edicionet e kaluara.
Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të çelen zyrtarisht mbrëmjen e së premtes, teksa ceremonia e hapjes pritet të jetë madhështore si zakonisht. Në mungesë të Luiza Gegës, që do të mbërrijë disa ditë më vonë në Francë, flamurmbajtësit e Shqipërisë gjatë ceremonisë së hapjes pritet që të jenë mundësi Zelimkhan Abakarov dhe notarja Kaltrina Meça.
Në këtë Olimpiadë do të konkurrojnë nga 26-korriku deri më 11-gusht, 10714-sportistë nga 206-shtete, teksa do të jenë 32-sporte për një numër total prej 322-eventesh.
Maringlen ZHIVANI