Nga Endri ÇINARI
Vllaznia mori humbjen e 4-ët këtë edicion në sezonin 2024-25 ditën e premte ndaj Bylis. Shkodranët u mposhtën në transfertë me shifrat 1-0 në Ballsh, duke ndaluar ecurinë pozitive të 5 javëve rradhazi. Ku kuqeblutë nuk njihnin shijen e humbjes në fazën e dytë të Superiores. Por ajo çfarë u vërtetua edhe njëherë në humbjen ndaj Bylis është se Vllaznia vuan me ekipet e pjesës së poshtme të tabelës.
Nga 4 humbjet e këtij edicioni, shkodranët 3 prej tyre i kanë marrë me 3 ekipet e fundit në klasifikim. Duke nisur nga humbja e fundit në shifrat 1-0 ndaj Bylisit të vendit të 10-të. Vllaznia gjithashtu ka pësuar humbje me rezultatin 1-0 ndaj Skënderbeut të vendit të 9-të. E ndërsa humbje në shifrat 3-1 kanë pësuar edhe ndaj Laçit të vendit të 8-të.
Ndërsa humbja tjetër ka qenë ndaj Dinamos me rezultatin 2-1, ku kuqeblutë u përmbysën pas avantazhit fillestar. Pra, një paradoks me sezonin dhe rezultatet aktuale të Vllaznisë. Që ka qenë dominuese në rezultate dhe lojë ndaj ekipeve të kreut. E ndërsa ka pësuar disfata ndaj ekipeve që po luajnë për mbijetesën këtë sezon në Superiore.
Pikë që patjetër janë të rëndësishme në garën për të siguruar një vend në “final 4”. Dhe ku ndaj çdo kundërshtari vlejnë njësoj, qofshin ato ekipe të kreut të renditjes apo ekipe që luftojnë për mbijetesën këtë sezon./www.shkodrasport.com/