Bojan Zogovic ishte “viktima” e fundit e Vllaznisë në këtë edicion 2021-22 të Superligës. Portieri malazez nuk arriti të mbyllte ndeshjen kundër Skënderbeut dje, kjo pasi u ndëshkua me kartonin e kuq në minutën e 77-të të sfidës.

Kjo pas një dueli në dukje tërësisht brenda limiteve sportive, por arbitri Alla, pas konsultimit të pamjeve me anë të VAR vendosi për të kuqin kundër gardianit.

Një ndëshkim që e ka shoqëruar Vllazninë shumë shpesh gjatë këtij sezoni. Shkodranët janë ndëshkuar shpesh nga “xhaketat e zeza” dhe ndoshta edhe padrejtësisht. Zogovic ishte i fundit në rradhë, ndërsa para 33-vjeçarit ngjyrën e kuqe e ka parë edhe Mevlan Adili në dy raste këtë edicion. Shkupjani është ndëshkuar në takimet kundër Skënderbeut dhe Kastriotit.

Po ashtu Zinedin Mustedanagic ka parë të kuqin në sfidën kundër Kukësit të humbur në shifrat 2-0 në sfidën e fazës së parë. Esin Hakaj u ndëshkua po ashtu me karton të kuq në ndeshjen kundër Partizanit të barazuar në shifrat 1-1 para 1 jave. Ante Aralica u ndëshkua me përjashtim nga fusha në ndeshjen e fazës së parë kundër Teutës të mbyllur me rezultatin 1-1 në “Elbasan Arena”.

Ndoshta i vetmi i kuq që mund të mos ketë prodhuar polemika është ai i Ardit Krymit. Mesfushori u ndëshkua në ndeshjen kundër Partizanit të fituar nga Vllaznia 1-0 në fazën e dytë të kampionatit.

Duket e palogjikshme që një skuadër si Vllaznia që luan futbollin më të bukur dhe të pastër në kampionat të ndëshkohet kaq shumë. Plot 7 kartonë të kuq në kampionat, më shumë se askush tjetër në Superligë bën që Vllaznia të jetë “preja” e preferuar e arbitrave.

Endri ÇINARI