Thirrjet e herëpashershme të bëra prej tij për mbështetje të boksieres që ai stërvit, duket se kanë rënë në vesh të shurdhër.
Jetmir Kuçi nuk arrin ta kuptojë sesi suksesi i sportistes së tij Elsidita Selaj që u shpall nënkampione Europe tre javë më parë, nuk i ka bërë përshtypje askujt.
Ka pritur deri më tani ndonjë fjalë të mirë apo ndonjë premtim, por asgjë konkrete.
Thjesht tufa lulesh dhuratë e asgjë më shumë. Asnjë premtim për trajtim ushqimor, asnjë
premtim për sigurim pjesmarrje në Kampionatin Botëror dhe Olimpiadë. “Bacuku” duket se nuk ka ndër mend të presë shumë gjatë.
Për këtë arsye, ka lëshuar edhe një paralajmërim kur për “Shkodra Sport” deklaron: “Unë nuk dua as të bëj thirrje kot dhe as t’i vë të tjerët në pozita të vështira.
Nëse duan që kjo vajzë të na nderojë sërish, hajde ta mbajmë. Nëse jo, atëherë nuk kam ndër mend të vazhdoj më gjatë.
Do pres edhe dy muaj dhe nëse shoh se gjërat nuk marrin zgjidhje, unë nuk do të vazhdoj ta stërvis më.
Nuk dua ta marr në qafë këtë vajzë të lodhet e të sakrifikojë kot, kur askush nuk e ka seriozisht plotësimin e kushteve për sportistët elitarë.
Pra, do të vazhdoj deri në korrik stërvitjen me të dhe më pas do ta ndërpres”.
Por nga ana tjetër, duke mbetur në pritje të plotësimit të kërkesave minimale për të dhe nënkampionen e Europës, pyetja që i shtojmë Jetmir Kuçit është se deri ku mund të shkojë kjo sportiste?
Përgjigja e tij është e tillë: “Nuk kërkojmë kushte luksoze, thjesht plotësim të kërkesave për pjesmarrje në aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare.
Nëse gjërat shkojnë mirë, unë kam hartuar një plan afatgjatë për Elsiditën. Dhe jo për një apo dy vjet.
Planet e mia janë që në Olimpiadën e vitit 2024 që do të zhvillohet në Gjermani, ajo të futet në zonën e medaljeve.
Për këtë gjë, hyj unë garant sepse i njoh mirë aftësitë e mia dhe të kësaj vajze me një talente dhe përkushtim të veçantë”.
© shkodrasport.com