Tashmë është vendosur. Parketi i pallatit të sportit “Qazim Dervishi” do të hiqet nga vendi dhe do të shtrohet sërish nga fillimi. Lajmi është konfirmuar ditën e djeshme në një prononcim për mediat nga drejtoresha e zyrës së urbanistikës pranë Bashkisë Shkodër Aida Shllaku. Sipas tij, parketi nuk është marrë në dorëzim ende dhe meqenëse janë vërejtur shumë anomali, është urdhëruar firma përkatëse për shtrimin sërish të tij.
“E kemi ndjekur shqetësimin e krijuar në media të disa prej pjestarëve të ekipeve të klubit Vllaznia në lidhje me problemet që ka shfaqur parketi i saposhtruar i pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Pikërisht në lidhje me këtë çështje, dua të saktësoj se ky investim i bërë nga Bashkia Shkodër nuk është marrë asnjëherë në dorëzim prej saj. Njëkohësisht, ne si institucion nuk i kemi kaluar asnjë situacion firmës që është marrë me shtrimin e tij. Duke qenë se cilësia e punimeve të bëra ka qenë jo e mirë dhe këtë e treguan problemet që ai shfaqi më pas, kemi urdhëruar firmën përkatëse për heqjen e parketit dhe shtrimin e tij nga e para. Kjo procedurë do të nisë sapo ekipet e klubit Vllaznia të kenë periudhën e pushimit dhe do mjaftonin 20 ditë kohë për ta kthyer në normalitet këtë gjë”. Kjo ka qenë deklarata e drejtoreshës së urbanistikës e tashmë është e qartë se nga java tjetër do nisë puna për heqjen e parketit dhe vendosjen e tij sërish. Ende nuk dihet nëse do të shtrohet sërish i njëjti parket apo tjetër pasi aktuali ka pësuar shumë difekte nga montimi i tij me gozhda e bulona. Por duket se problemi i parketit nuk ka patur të bëjë vetëm me mënyrën e vendosjes së tij por edhe me mosvënien e një shtrese gome poshtë parketit dhe mbi beton në mënyrë që të krijohet luhatja e tij ashtu si duhet kur sportistët të jenë mbi të. Fakti që herën e parë kjo nuk ishte si duhet, krijoi jo pak probleme për basketbollistët dhe volejbollistët e Vllaznisë, madje basketbollisti slloven Mirza Sarajlija, nisur edhe nga disa probleme që ka me gjunjtë, e ka vënë në dyshim vazhdimin e karrierës me këtë skuadër ngaqë nuk mund të stërvitet në një parket të tillë të fortë. Tashmë mbetet për t’u parë me heqjen nga fillimi të parketit aktual nëse bashkë me të do ikin njëherë e mirë të gjitha problemet që ai shfaqi deri tani apo do të krijohen sërish në të ardhmen.
Gjergj KOLA