Pas atyre të shfaqura ditë më parë, pallati I sportit “Qazim Dervishi” ka nisur të ketë sërish probleme me parketin e tij. Paraditen e djeshme është konstatuar fillimi I një çarje tjetër të tij, këtë herë në anën e kundërt me herën e parë. Përpos kësaj, edhe në vende të tjera duket se ka probleme serioze, madje në disa pjesë të parketit, duket qartë se topi nuk përplaset ashtu siç duhet duke krijuar probleme për sportistët dhe me shumë mundësi, kjo gjë nuk do lejohet nga delegatët e Ligës Ballkanike për zhvillimin normal të ndeshjes së ardhshme me ekipin rumun të Krajovës.

Siç dihet, kjo ndeshje do të luhet më datën 13 nëntor dhe për këtë arsye, është mëse e domosdoshme ndërhyrja edhe njëherë tjetër e punonjësve të firmës që e ka shtruar parketin, për ta kthyer atë në normalitet në mënyrë që ndeshja të zhvillohet. Kjo sepse do ishte skandal të ndodhte ndryshe që edhe ndeshja e dytë e Ligës Ballkanike të dështonte pas asaj që ndodhi në ndeshjen e parë me Mornar të Tivarit që nuk u zhvillua për shkak të problemeve me tabelën elektronike. Kjo e fundit tashmë është rregulluar dhe nuk ka asnjë problem megjithatë shqetësim mbetet parketi por ndërhyrja e punonjësve të firmës ashtu si duhet pasi dihet që  pallati I sportit siç dihet është I zënë me aktivitetin e “Miss Globe” që do të zhvillohet këtë javë aty. Gjithsesi, pasditen e djeshme, punonjësit kanë filluar të merren me pjesën e dëmtuar të parketit por një gjë është e qartë se kështu nuk mund të vazhdohet gjatë. Për më tepër që ende nuk ka filluar periudha e shirave, ajo që mund ta bëjë krejtësisht të papërdorshëm parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Thuhet se Bashkia Shkodër nuk ia ka lëvruar gjithë fondin firmës fituese të tenderit që ka bërë më pas edhe punimet në këtë impiant sportiv. Në fakt kjo nuk vlen shumë sepse dëmtohen ekipet e lojtarëve me dorë të cilët nuk do munden as të luajnë dhe as të bëjnë stërvitje aty.
© shkodrasport.com