Dejan Kulusevski ka kryer sot vizitat mjekësore te Juventusi duke hedhur një hap të madh në karrierën e tij. Talenti suedez, kartonin e të cilit e ka Atalanta do të jetë pjesë e bardhezinjve, por me kampionët e Italisë nuk mund të bashkohet këtë sezon duke qenë se bllokadën ia ka bërë Parma.
Klubi i Juventusit e ka bindur Atalantën për të blerë kartonin e tij por e ka pasur të pamundur të bindë Parmën. Bardhezinjtë i kanë ofruar kartonin e Pjacës skuadrës së Parmës në mënyrë që të marrë kartonin e Kulusevskit në këtë merkato janari dhe të ketë mundësi Sarri që ta aktivizojë në vazhdim.
Klubi i Parmës ka refuzuar që të japë Kulusevskin duke kërkuar që të jetë me futbollistin deri në fund të sezonit, ashtu siç edhe e parashikon pakti mes klubeve. Kulusevski po kalon një moment shumë të mirë te Parma duke shënuar e dhënë asiste në mënyrë të vazhdueshme, teksa Juventusi fitoi konkurrencën me Interin për Kulusevskin. /VipSport/