I zhgënjyer nga rezultati, por edhe nga mënyra si shkuan disa gjëra, zëvendëstrajneri i Vllaznisë Arben Parmeza në prononcimin e tij për mediat pas humbjes 0-2 me FC Minsk është shprehur:

“Do të thosha se ishte një ditë e keqe për ne, kishim të tjera pritshmëri, por futbolli i tillë është. Them se u penalizuam shumë nga mungesa e trajnerit, nga dëmtimi rëndë i sportistes tonë kryesore, Arbionës.

Megjithatë u munduam të ndryshojmë diçka në fushë meqë edhe ballancat ndryshuan në fushë, dolëm me një rreshtim krejt tjetër sulmues, bëmë përpjekjet tona, por kështu e ka futbolli.

Vajzat dhanë maksimumin, por e përsëris ishte një ditë e keqe për të gjithë ekipin tonë. Dalja e Bajraktarit për arsye dëmtimi na penalizoi rëndë sepse ajo është një pengesë e pakalueshme për kundërshtarin, është lojtarja që na solli deri në këtë tur dhe ka një peshë të jashtëzakonshme tek skuadra jonë”.

I pyetur se çfarë do të bëjë tashmë Vllaznia për të arritur synimet e saj në kampionatin shqiptar, zëvendëstrajneri Parmeza do të shprehej: “Nuk mendoj se ka lidhje Champions League me kampionatin shqiptar, është një nivel krejt tjetër.

Objektivi i Vllaznisë është fitimi i kampionatit dhe i kupës së Shqipërisë dhe nuk shoh asnjë pretendent që të na dalë para”./SHKODRA-SPORT.COM/