E kishte paralajmëruar para ndeshjes finale se Apolonia nuk kishte shans t’i afrohej fitores së Kupës dhe ashtu rezultoi. Arben Parmeza, pjestar i stafit teknik të Vllaznisë së femrave është i entuziasmuar pas suksesit të rradhës të këtij ekipi që bëri pronë të vetën edhe kupën e shtatë rradhazi.

Edhe kur ka qenë kundërshtar me këtë ekip, ai gjithmonë thoshte se ekipet e tjera duhet të luftojnë për vendin e dytë se për të parin nuk kishin asnjë shans ngaqë Vllaznisë nuk mund t’i afrohej askush. Tashmë këtë realitet po e prek vete çdo ditë dhe prandaj nuk duket i impresionuar.

“Kur mundi e djersa të shpërblehen, sigurisht që është një kënaqësi shumë e madhe. Ky është një moment shumë i mirë për Vllazninë sepse vazhdon rrugën e sukseseve dhe nuk është pak sepse është viti i shtatë me emrin e Vllaznisë dhe i dhjeti si grup.

Falenderimi më i madh shkon për këto vajza, për kënaqësinë që po na japin. për mundin dhe djersën e derdhur me to dhe që nuk po na shkon dëm. Ato që kam thanë për Vllazninë, i vërtetuam sërish: Jemi pika e referimit e futbollit shqiptar, jemi krenaria e Shkodrës dhe krenaria e gjithë Shqipërisë”- është shprehur për “Shkodra Sport” Arben Parmeza.
www.shkodrasport.com