Kampionati kombëtar i futbollit të femrave tashmë ka hyrë në rrjedhën e tij teksa janë zhvilluar katër javë dhe Vllaznia kampione në fuqi, e ka nisur e tillë edhe kampionatin aktual.Ajo i ka fituar të katër ndeshjet e deritanishme por të njëjtën ecuri ka edhe Apolonia dhe të dy ekipet kryesojnë renditjen me pikë të plota. Arben Parmeza, trajneri i një tjetër ekipi, pikërisht i “Albanian Ajax School”, thotë se ky rivalitet është vetëm momental.

“Vllaznia nuk ka punë me kampionatin shqiptar. Për mënyrën si është e ndërtuar, ajo ka punë vetëm me Ligën e Kampioneve. Në Shqipëri, ne ekipet e tjera bëjmë garë se kush do të jetë “kampionia e vendit të dytë”. Për këtë arsye, në garë janë disa ekipe, duke filluar nga Apolonia, Kinostudio, AAS dhe Tirana AS. Gara duket se ka filluar e bukur dhe e fortë dhe besoj se do të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Sa i takon Vllaznisë, e thashë, për të janë ndeshje thjesht për t’u zhvilluar sepse atë askush nuk mund ta mundë”- ka thënë ai. Në fakt realiteti ky është. Skuadra e presidentit Lazer Matija ka katër kampionate që jo vetëm dominon por po lufton për të rregjistruar rekorde. Një i tillë është ai i mospësimit të humbjes dhe deri tani, ky ekip që kur është krijuar, nuk e njeh shijen e saj. Të dielën Vllaznia do të ketë derbin me Juban Danjen por nuk pritet ndonjë befasi, edhe për atë se ekipi i parë i futbollit të femrave në vendin tonë, nuk po kalon një moment të mirë si pasojë e largimit të disa skuadrave.
© shkodrasport.com