Sfida finale po afron dhe tashmë duket se dy ekipet që do të diskutojnë trofeun e Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni në futboll për femra, Vllaznia dhe Apolonia, kanë bërë gati gjithçka dhe presin vetëm të zbresin në fushën e “Elbasan Arena” pasditen e së enjtes për të treguar vlerat e tyre më të mira.
Në kampin shkodran janë të vendosur për të bërë më të mirën dhe për të fituar edhe këtë trofe, që ashtu si titujt kampionë, do të jetë i shtati rradhazi edhe për Kupën e Shqipërisë. Në prag të kësaj ndeshje, për RTSH Sport ka folur njëri prej pjestarëve të stafit teknik të Vllaznisë, pikërisht Arben Parmeza që është shprehur:
“Gjendja e ekipit është mëse e kënaqshme, stërvitja ka vazhduar me intensitet dhe shpresoj të shkojmë kështu ditën e
enjte në Elbasan për ndeshjen finale.Pas fitimit të titullit kampion, ne vazhdojmë punën për objektivin e rradhës,
Kupën e Shqipërisë. Nuk është thjesht një dëshirë e jona për ta fituar edhe këtë trofe, por është një synim real i
pretendimeve tona edhe për këtë sezon.
Kjo gjë bazohet tek puna, tek menaxhimi, tek djersa e përditshme e këtyre vajzave në stërvitje dhe të gjithë sëbashku do të shkojmë në Elbasan për të nxjerrë një ndeshje dinjitoze, pët të treguar vlerat më të mira të ekipit tonë dhe për të ngritur edhe këtë trofe të dytë të këtij sezoni”.
Objektin për të fituar dhe për të marrë trofeun e ka edhe Apolonia, por Parmeza mendon ndryshe. Sipas tij, Vllaznia është pika e referimit në futbollin shqiptar të femrave dhe si e tillë, edhe këtë herë fitorja do të jetë vetëm për të.
“Sfida finale ndaj Apolonisë është një ndeshje interesante të cilën po e presim me padurim për të treguar edhe njëherë vlerat tona më të mira, e për t’u thënë të gjithëve se Vllaznia është aty ku e meriton të jetë. Ajo është pika e referimit për të gjithë futbollin e femrave në vendin tonë dhe padyshim që është krenaria e Shkodrës dhe Shqipërisë në këtë futboll”- ka thënë ai.
www.shkodrasport.com