Partizani ka fituar me shifrat 2-1 në Letoni përballë Valmieras dhe ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt play-off të Ligës së Konferencës.

Ka qenë një fitore e vuajtur e të kuqve të cilët kishin vështirësi të dilnin në lojën e tyre në pjesën e parë ku vendasit kishin kontrollin e lojës dhe kishin rastet më të mira teksa edhe gjetën rrjetën me një gjuajtje të Gustavo Silva.

Por në pjesën e dytë, Zekiç ndryshoi lojën e të tijve dhe Partizani krijoi më shumë lojë e raste, duke rrezikuar disa herë katërkëndorin e vendasve. Cara ishte ai i cili vendosi baraspeshë në shifra ndërsa më pas, Rrapaj me një goditje nga distanca përfitoi nga rrëshqitja e portierit për të shënuar golin e përmbysjes 2-1.

Të kuqtë e ruajtën këtë rezultat deri në fund të sfidës dhe ia dolën që të merrnin një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, për të hedhur një hap shumë të sigurt drejt kualifikimit në play-off të Ligës së Konferencës.

VALMIERA-PARTIZANI 1-2

27′ Gustavo Silva / 58′ Cara, 76′ Rrapaj