Partizani ka marrë fitoren e tretë radhazi nën drejtimin e Arbër Abilaliajt, duke vazhduar i qetë marshimin në këtë pjesë të kampionatit, me synimin e qartë për kreun e renditjes.
Të kuqtë sot kanë mundur me rezultatin 1-0 Teutën, teksa i është dashur një tjetër gol në shtesë për të siguruar tre pikët.
Ndeshja ka dhuruar pak emocione në pjesën e parë, ku i vetmi moment për t’u kujtuar ishte penalltia e fituar dhe më pas e gabuar nga Fili për durrsakët. Ndërkohë, në pjesën e dytë u bë protagonist portieri Dema me pritje të njëpasnjëshme duke zgjidhur situata të vështira para katërkëndorit të tij.
Dukej se sfida do mbyllej në barazim, por në momentet e fundit të saj, Keko provoi nga jashtë zonës duke mposhtur gardianin e skuadrës durrsake edhe falë një devijimi. Kaq mjaftoi për t’i dhënë tre pikët ekipit kryeqytetas, i cili me këtë ecuri nën drejtimin e Abilaliajt, po tregon se nuk ka pse të ngutet për trajnerin e ri.
TEUTA-PARTIZANI 0-1
90’+2′ Keko