Partizani pret të për forcojë sulmin me Rodrigo Piloton, por përveç ofensivës, mbrojtja kërkon gjithashtu trajtim të veçantë. David Atanaskoski, titullar fiks në dy vite, është larguar në formë zyrtare dhe të kuqtë janë në kërkim të zgjidhjeve.
Përveç kësaj, Partizani është hedhur gjithnjë në sulm për lojtarë të rinj, që spikasin në Superiore, siç është Geralb Smajli. 22-vjeçari mbylli kontratën me Vllazninë dhe zyrtarizoi largimin. Partizani e pëlqen profilin e mbrojtësit të lindur në Belgjikë, edhe pse luan në krahun e djathtë, ku të kuqtë kanë një si Andi Hadroj. Ky i fundit është lidhur herë pas here me një largim të mundshëm dhe vera është gjithnjë e paparashikueshme, por nga ana tjetër mund të shkëlqejë njësoj edhe si mbrojtës i majtë. Gazeta mëson se Partizani e ka kontaktuar palën e Smajlit dhe i ka bërë me dije pëlqimin dhe dëshirën për ta afruar. Nga ana tjetër, Smajli ka disa oferta në tavolinë dhe ende nuk ka kthyer një përgjigje përfundimtare. Edhe në verën e shkuar Partizani u interesua për të. Smajli ishte titullar fiks me Vllazninë në këtë sezon, ku shënoi 1 gol dhe dha 7 asiste.
MURATAJ – Zëvendëskapiteni i Partizanit është aty që nga viti 2021, por duket se ofertat e shumta dhe fundi i kontratës po e cenojnë qëndrimin e tij te nënkampionët e Shqipërisë. Mesfushorit i skadon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm, por klubi vijon të ketë besim te Murataj dhe në një takim me drejtuesit, mesfushorit i është paraqitur opsioni i rinovimit. Megjithatë, asgjë nuk është konfirmuar në formë zyrtare, pasi për lojtarin ka interes nga klube jashtë vendit, kryesisht në Ligën e Parë turke. Partizani pritet të këmbëngulë ta mbajë të paktën edhe për 1 një vit dhe ka ngritur “bllokadën”, në kushtet kur klubet e interesuara s’janë të gatshëm të paguajnë për ta blerë mesfushorin.
CARA – Kavajasi, që është shënuesi më i mirë i dekadës së fundit dhe goleadori historik i Partizanit në Europë, gjithashtu kërkohet nga klube jashtë vendit. Edhe në rastin e tij kontrata skadon pas një viti dhe rinovimi s’ka ndodhur. Austria e Vjenës ka shfaqur interes konkret për Carën dhe po pret përgjigjen e lojtarit dhe klubit. Te Partizani ia ndiejnë nevojën sulmuesit, por nga ana tjetër vetë lojtari ndjen se ka ardhur momenti për hapin e madh. Një takim i ditëve në vijim do të vulosë gjithçka.