Janë luajtur 12 javë të Kategorisë Superiore dhe megjithëse ekipet i kanë matur forcat me të gjithë kundërshtarët, ende nuk është krijuar një pamje e qartë mbi ekipet, që do të luftojnë për titullin, të tjerëve për Europën dhe në fund për rënien në Kategorinë e Parë. Megjithatë, Sulejman Starova, trajner dhe ish-futbollist i njohur, duket se i ka idetë mjaft të qarta. Në një prononcim ekskluziv për , ai flet për ekipet, që do të vrapojnë deri në fund drejt titullit dhe garës në fundin e renditjes, ku shpreson që Kastrioti të rezistojë dhe të kthehet në garë për mbijetesën. Starova flet edhe për Partizanin, që sipas tij ka organikën për të arritur te kualifikimi në kompeticionet europiane, por jo te titulli.
Tashmë që kemi hyrë në fazën e dytë të kampionatit dhe jemi pranë fundit të vitit, që përmbyll edhe një fazë të rëndësishme të sezonit, si e shihni garën e dy “poleve” të Superiores?
Tirana po vazhdon mirë dhe këtë javë mund të bëjë shkëputjen duke parë fitoren e Laçit me Kukësin dhe ndeshjen direkte që e kanë me kurbinasit. E veçanta e këtyre javëve të fundit është ecuria e Laçit, që në fakt e nisi shumë keq dhe me ardhjen e Josës ka arritur të vijë në formë dhe të luftojë për vendet e Europës a më shumë, siç ka bërë në katër apo pesë sezonet e fundit. Në fundin e tabelës Kastrioti duket sikur e ka humbur komplet ritmin e garës sepse po humbet javë pas jave. Është një dukuri e papritur sepse krutanët, të paktën në fushën e tyre kanë qenë të fortë, por nëse çedon kaq shpejt i prish shumë punë konkurrencës së kampionatit.
Ku qëndron problemi i Partizanit në këtë sezon dhe çfarë mendoni se mund të kishin bërë më mirë deri tani?
Duke parë ndërtimin e skuadrës që në verë, mendoj se formacioni që po përdorin tani është ideali për ta. Unë mendoj se nëse ata do të luanin edhe më parë me këtë rreshtim në fushë, do të kishin humbur më pak terren, pra do të kishin lënë më pak pikë rrugës. Gjithsesi, ata duhet të kenë shumë kujdes në ndeshjet e radhës sepse çdo humbje, siç ishte kjo ndaj Vllaznisë së fundmi, ndikon në anën psikologjike. Ata janë një klub, që gjithmonë kërkojnë majën dhe ky fakt ushtron presion psikologjik te skuadra, stafi teknik dhe drejtuesit. Ata pa dyshim po luajnë me shumë stres, që normalisht i pengon të jenë të qartë në veprimet e tyre gjatë lojës.
Cili mendoni se është afrimi më i goditur i klubeve të Superiores në merkaton e verës?
Kanë ardhur disa lojtarë cilësorë në këtë sezon dhe kam vënë re se klubet janë treguar shumë më të kujdesshëm dhe studiozë në afrimin e futbollistëve. Si afrimin më të goditur të verës unë mund të cilësoj Edi Bashën, sulmuesin anësor të Kukësit. Ka treguar cilësi të mëdha në finalizim, në pasime për gol, por edhe në mënyrën se si e interpreton lojën. Për më shumë është një lojtar, që ndryshe nga pjesa më e madhe e afrimeve, si Latifi, Limaj apo Guindo, nuk njihej aspak në futbollin shqiptar dhe ishte e vështirë të parashikosh nëse do të përshtatet me futbollin tonë apo jo.