Ndonese kampionati starton pas pak ditesh, Partizani ende nuk e ka gjetur trajnerin qe do te zevendesoje Orges Shehin e shkarkuar nga kjo pdetyre kohet e fundit. Si rrjedhoje, për të mësuar emrin e trajnerit të ri ndoshta do të duhen disa ditë.
Me shumë gjasa, në ndeshjen e javës së parë të kampionatit me Vllazninë të kuqtë do t’i drejtojë Arbër Abilaliaj, në pritje të zgjidhjes së trajnerit të ri. Edhe nëse ai zgjidhet para ndeshjes me shkodranët, do të ketë shumë pak kohë në dispozicion deri të hënën, kur luhet sfida e javës së parë të kampionatit.
Sa i takon pistes se trajnerit te ri, presidenti Demi mbetet besnik i pistës së huaj. Nga trajnerët shqiptarë, preferenca e vetme e tij duket se është Ilir Daja, trajneri aktual i Ballkanit, për të cilin thuhet se do të marrë drejtimin e Dinamos. Daja ka qenë edhe më parë në krye të Partizanit dhe me sa duket ka lënë përshtypje të mira në sytë e presidentit Demi.
Mundësitë më të mëdha janë që Partizani të ketë një trajner të huaj në krye sezonin e ri, ndërsa pistat më të mundshme janë ato italiane dhe kroate. Të kuqtë kanë pasur disa trajnerë italianë gjatë epokës së Demit, si Adolfo Sormani, Andrea Agostineli, Franko Lerda e Mark Iuliano. Ndoshta një tjetër italian mund të marrë drejtimin e Partizanit, por edhe pista kroate është për t’u marrë në konsideratë seriozisht, sidomos pas eksperiencës së Zoran Zekiç në krye të ekipit të kuq.