Ditën e shtunë në orën 16:45, në “Loro Boriçi” të Shkodrës do luhet një bga takimet më të rëndësishme të javës së 30-të në Superligë. Përballë do jenë Vllaznia dhe Partizani që përveç historikut të pasur mes tyre, kanë edhe objektivat sezonalë në lojë në këtë duel.
Kuqeblutë shkodranë duan të rikthehen tek fitorja në kampionat pas 6 javësh ku numërohen 3 barazime dhe 3 humbje. Patjetër para publikut shkodran lind detyrimi për fitore dhe kalimi në finalen e kupës duket se ka sjellë humorin tek shkodranët. Pavarësisht ndalesës në Durrës përballë Teutës në sfidën e javës së 29-të me rezultatin 1-1.
Nga ana tjetër është Partizani që në klasifikim është 1 pikë para Vllaznisë. Por tek të kuqtë duket se ka “shpërthyer” tashmë çdo gjë.
Mos arritja e finales pikërisht kundër Vllaznisë në gjysmëfinale, si edhe largimi nga zona europiane në kampionat ka bërë që tashmë të jenë të gjithë nën presion tek “demat”. Shumë futbollistë, por edhe trajneri Mehmeti me siguri nuk do jenë pjesë e skuadrës sezonin tjetër.
Ndeshja kundër Vllaznisë shihet si një finale në kampin kryeqytetas. Një dështim në takimin e së shtunës, do thoshte edhe dështim total i sezonit për të kuqtë. Tek Vllaznia mund ta shfrytëzojnë këtë fakt për ti dhënë goditjen përfundimtare Partizanit.
Kjo edhe për qetësinë psikologjike që garantojnë statistikat kundër 16 herë kampionëve të vendit, ku këtë sezon Vllaznia ka 1 fitore dhe 2 barazime në kampionat, si edhe kualifikimin në kupë.
Endri ÇINARI