Kalendari i ka rezervuar Partizanit javë të vështira në vijim. Para se të mbërrijnë te derbi i javës së gjashtë ndaj Tiranës, të kuqtë do të duhet të bëjnë llogaritë me kundërshtarë të tjerë direkt. Në ndeshjen e radhës përballë do të jetë Vllaznia, një rival gjithnjë i vështirë.
Pas kësaj vjen derbi me Dinamon, një ndeshje mjaft e vështirë. Skuadra e Di Biaxhos e ka nisur keq kampionatin, por ka lënë të kuptojë se është një rival me mjaft potencial dhe ka shumë uri për pikë. Pas Dinamos vjen përballja në shtëpi me Egnatian, që është pretendente në këtë sezon. Kjo betejë pasohet me transfertën e Korçës ndaj Skënderbeut kryesues. Ecuria në këto sfida është mjaft përcaktuese.
Partizani nisi ditën e sotme përgatitjet për ndeshjen e 13 shtatorit ndaj skuadrës së Vllaznisë. Pas disa ditësh qetësi, kur të gjithë u shpërndanë në destinacione të ndryshme për të kaluar këto minipushime, tashmë misioni rinis edhe një herë.
Përpara është ndeshja ndaj Vllaznisë, një kundërshtar akoma më i fortë në letër se kurbinasit, me të cilët u përballën në ndeshjet e javës së shkuar. Trajneri Zekiç pritet të punojë në aspektin fizik më së shumti në stërvitjen e sotme, me lojtarët, që kthehen pas disa ditësh relaksi dhe rrjedhimisht nuk janë në formën më të mirë. Ndërkohë, duhet thënë se transferta e Shkodrës, veçanërisht në tri vitet e fundit, nuk ka rezultuar të jetë aspak e lehtë.