Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, vazhdon të shprehet i bindur se Partizani po del kampion, vetëm sepse Kukësi ia ka bërë të lehtë, dhe gjithashtu edhe Skënderbeu duke mos qenë kompetitiv.

Në një intervistë për “ABC News”, numri një i klubit verilindor shprehet se ekipi i Gegës, me ato lojtarë, nuk do ishte as në vendin e katërt me ato lojtarë që ka.

PARTIZANI – Partizani nuk do ia dilte kurrë. E ka marrë kampionatin këtë vit, se ne kemi pasur probleme. Faktori kryesor, fusha, por kemi pasur probleme edhe me stafin teknik. Nuk ka arritur ta menaxhojë dot grupin, ne kemi 2 ekipe, kemi lojtarë pa fund me CV cilësore. Po të ishte dhe Korça, padiskutim, jo e jo që nuk do dilte kampion. Ne ia kemi bërë shumë të lehtë të dalë kampion. Me atë ekip që ka, as në vendin e katërt nuk do ishte.

STADIUMI – Jemi në fazën e përfundimit, është mbyllur procedura. Firma nga java tjetër fillon punimet në Kukës. Ka bërë stadiumet në Shkodër dhe Elbasan kjo firmë. Fondet janë siguruar në Federatë. Dua të falënderoj dhe qeverinë dhe Federatën. Është një fond që Kukësi e meriton, se ka vite që i ka dhënë tonin kampionatit. Ka qenë pjesëmarrëse në Europa dhe Champions League. U bënë 7 vite që jemi në ekipet më të mira shqiptarë.

TRAJNERI – Nesti ka këto objektiva, pastaj, do lëvizë apo jo, do ia lëmë kohës. Nuk mund t’i thoja që ke objektiv titullin kampion, pasi do ishte e paimagjinueshme, t’i thoja që duhet të marrësh kampionatin, me ekipin që e mori vetëm në ndeshjet e fundit. Por, ata gojët e liga që flasin, se unë kam ndërruar 4 trajnerë… Disa analistë janë mediokër komplet, nuk dinë as të numërojnë, duhet të ndërrosh televizorin kur dëgjon ata…