Partizani kërkon të marrë “yje” në ekip, por gjërat nuk duken se janë aq të lehta. “Demat” janë prej javësh në kërkim të një qendërsulmuesi të nivelit të lartë dhe Sindrit Guri është padyshim futbollisti më i preferuar për këtë pozicion.
Të kuqtë e duan me ngulm ish-sulmuesin e Vllaznisë dhe janë vendosur në veprim për të siguruar shërbimet e tij që në muajin qershor. Prej ditësh, është përfolur në lidhje me një transferim të mundshëm të sulmuesit tek të kuqtë e kryeqytetit, por duket se kjo lëvizje është e vështirë të përmbyllet me sukses.
“Panorama Sport” shkruan se, drejtori sportiv i Partizanit, Elton Marini, është takuar kokë më kokë me Gurin. Ai i ka shprehur 28-vjeçarit dëshirën e madhe për ta afruar te Partizani, madje mësohet se të kuqtë kanë bërë edhe ofertën financiare të tyre kundrejt futbollistit. Ndërkohë, Guri nga ana e tij nuk e ka dhënë një përgjigje përfundimtare, por ka qenë i hapur për një transferim të mundshëm te Partizani.
Arsyeja që sulmuesi nuk ka kthyer një përgjigje kundrejt Partizanit është shumë e thjeshtë. Në verën e vitit të shkuar, kur ai firmosi me Shkëndijën, ka pranuar një kontratë një-vjeçare, me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër sezon, në varësi të dëshirës së Shkëndijës. Ecuria e mirë në Europë e shtyn Shkëndijën të aplikojë rinovimin e Gurit edhe për një sezon tjetër, duke lënë “thatë” Partizanin.
Po ashtu, “Shkodra Sport” ka mësuar se sulmuesi shkodran ka edhe një pistë për të luajtur jashtë pas përfundimit të ndeshjeve të Kupave të Europës me Shkëndijen, por mbetet për t’u parë çdo gjë në vazhdim. Gjithsesi, deri kur gjithçka të jetë zyrtare, nuk përjashtohet asnjë skenar.
Maringlen ZHIVANI