Merkato e verës duket se do të jetë zjarr në fund të këtij sezoni futbollistik. Edhe pse në mediet e ndryshme shkruhej se Tirana dëshiron Ardit Krymin, duket se Partizani është një hap para bardhebluve. Burime të besueshme pranë klubit shkodran bëjnë me dije për Newsport.al që Olsi Rama ka kontaktuar prej dy muajve mesfushorin luftarak.
Të njëjtat burime tregojnë se drejtori i përgjithshëm i Partizanit ka pasur edhe një takim me mbrojtësin e majtë Esin Hakajn. Këtij të fundit i ka kërkuar të futen në bisedime dhe të mos rinovojë me shkodranët në rast të një ofertë të mundshme nga kuqeblutë.
Siç duket, dy titullarët e Vllaznisë janë “shënjestra” kryesore e 16-herë kampionëve të vendit. Në sezonet e fundit, Krymi ka qenë një nga pikat kyçe të shkodranëve në mesfushë. Sakaq edhe Esin Hakaj, më parë i kuq, ka bindur stafin teknik të Vllaznisë duke qenë titullarë i padiskutueshëm.
Kujtojmë që sot shtypi i shkruar raportonte se Krymi është dëshirë e Tiranës. Mirëpo, drejtori Olsi Rama duket se i ka “lëvizur gurët” më herët se rivalët e kryeqytetit. /Newsport/