Partizani ka marrë një fitore të thellë ndaj skuadrës së Luzit në miqësoren e djeshme, përpara ndeshjes së fundjavës me Vllazninë. Ekipi i trajnerit Giovanni Colella ka “shkërmoqur” me rezultatin 6-1 skuadrën e Luzit.

Kjo sfidë u zhvillua në kompleksin e të kuqve, teksa stafi teknik i Partizanit dhe trajneri Colella mbeten të kënaqur nga kjo paraqitje, ku shënuan plot gjashtë gola. Një formë e mirë e treguar kjo nga ekipi i kuq në prag të ndeshjes me Vllazninë.

Ndërkohë, Partizani luajti në këtë miqësore me Rexhepin në portë. Më pas, me Hadroj, Bitrin, Sotën dhe Buxhelajn në mbrojtje. Në mesfushë u vendosën Rrapaj, Telushi dhe Murataj, ndërsa Hoti ishte në mbështetje të dy sulmuesve Cara dhe Mensah.

Ky pritet të jetë edhe formacioni që Partizani do të luajë ndaj Vllaznisë, me ndryshimin e vetëm që në vend të Mensah do të jetë Skuka. Kujtojmë se, të kuqtë kryesojnë renditjen, duke qenë në vendin e parë në tabelën e klasifikimit, shtatë pikë larg Vllaznisë së vendit të pestë në Abissnet Superiore. /Maringlen ZHIVANI/


Partizani-Luzi 6-1

Golat: Mensah (X3), Hoti (X2), Zekolli

Partizani (4-3-1-2): Rexhepi, Hadroj, Bitri, Sota, Buxhelaj, Rrapaj, Telushi, Murataj, Hoti, Cara, Mensah (u aktivizuan: Hoxha, Menich, Atanaskoski, Sembene, Gueye, Zuna, Zekolli, Hodo) Tr: Giovanni Colella