Është mbyllur java e 19-të me dy ndeshjet Partizani-Laçi 0-0 dhe Teuta-Luftëtari 2-3.
Dy rezultate që nuk kanë ndryshuar asgjë në klasifikim, me të kuqtë që në kuotën e 28 pikëve, mbeten në vend të 6-të të renditjes, pa mundur dot të parakalojnë Laçin që barazon në kutëon e 29 pikëve, Kamzën dhe Kukësin.
Në ndeshjen tjetër, fitorja e gjirokastritëve në Durrës ka afruar Luftëtarin më pranë me grupin e skuadrave që diskutojnë një vend për në Kupat e Europës, ndërkohë që ka thelluar krizën e Teutës.
Durrsakët, për shkak të disfatës, por edhe ndikuar nga fitorja e Vllaznisë ndaj Lushnjës, i bashkohen kësaj të fundit, duke qenë shumë pranë rënies nga kategoria.
Dështim i Partizanit në “Selman Stërmasi”, pasi nuk ka mundur dot të përfitojë në përballjen direkte me Laçin, duke arritur jo më shumë se një barazim pa gola.
Një ndeshje në të cilën të kuqtë kanë shënuar vetëm një gol të anulluar për pozicion jashtë loje të realizuar nga Progni, dhe një rast flagrant të shpërdoruar nga Bardhi, sa për paaftësi të sulmuesit të Partizanit, po aq edhe për meritë të portierit të Laçit, Selmani që ka neutralizuar rrezikun.
Nga ana tjetër, kurbinasit kanë marrë një pikë shumë të rëndësishme, me lojë perfekte në fazën defensive.
Nderkohe ne Durres, kane triumfuar gjirokastritet ndaj vendasve. Luftëtari ka kaluar në avantazh kur kishin kaluar vetëm dy minuta nga fillimi i lojës, falë golit të Shkurtaj.
Epërsi që ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi në të 17’, Teuta ka barazuar shifrat me Hila, që ka shndërruar në gol një penallti të fituar nga durrsakët për prekje të topit me dorë nga Liçaj.
Seria e golave në këtë ndeshje delikate për pozitat e vështira që mbajnë ekipet në klasifikim, nuk ka mbaruar. Në të 33’ janë sërish miqtë nga Gjirokastra ata që rivendosin epërsinë, me të njëjtin autor, Shkurtaj, ndërsa Teuta përgjigjet pesë minuta para përfundimit të takimit me të riun Lajthia, që rikthen barazinë 2-2.
Në pjesën e dytë janë sërish miqtë ata që i afrohen golit të avantazhit. Një gol që nuk ka munguar, pasi në të 66’ gjirokastritët kanë rigjetur epërsinë, kësaj here falë një autogoli të shënuar nga vetë durrsakët në portën e tyre.
Gjithsesi, Luftëtari rikthen favorin dhe mban gjallë shpresat e Teutës, pasi Licaj del me karton të kuq dhe lë miqtë me 10 futbollistë për më shumë se 10 minuta lojë, por vendasit janë të paaftë për ta shfrytëzuar./telesport/