Të dielën, Partizani përballet me ekipin kryesues të Superiores, Vllazninë. “Demat e kuq” udhëtojnë drejt Shkodrës, aty ku do të luajnë gjithçka për gjithçka në “Loro Boriçi” kundrejt kuqebluve vendës, që kanë bërë një sezon fantastik deri më tani. Të kuqtë e Ilir Dajës duan të rikthehen te fitorja pas dy barazimeve radhazi 0-0, kundër Tiranës në derbin e kryeqytetit dhe kundër Teutës.
STATISTIKAT – Sfida mes Vllaznisë dhe Partizanit vë përballë sulmin dhe mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Ekipi shkodran ka shënuar plot 13 gola në shtatë javë kampionat, duke treguar se realizimi i golave nuk është aspak problem. Një mesatare thuajse 2 gola për ndeshje për të besuarit e Brdariçit, që kanë treguar një formë shumë të mirë para porte këtë sezon.
Por, kundër Partizanit, përballë do të kenë mbrojtjen më të mirë të kampionatit. “Demat” kanë pësuar vetëm dy gola dhe katërshja e mbrojtjes, si dhe kapiteni Alban Hoxha, duken një mur i pakalueshëm.
FORMACIONI – Grup i plotë në stërvitje për trajnerin e Partizanit, i cili ka luksin të bëjë edhe alternime në formacion. Që nga fillimi i sezonit, Daja për asnjë moment nuk e ka pasur grupin e plotë dhe së bashku me bllokimin e merkatos lëvizjet në formacion kanë qenë me pikatore.
E duke parë dhe rëndësinë e sfidës, Daja vështirë të bëjë ndryshime të tjera në formacion. Alban Hoxha do të jetë mes shtyllave, me kapitenin që priti edhe një penallti në minutat e fundit kundër Teutës.
Mbrojtja nuk ka ndryshime, me Idrizajn, Bitrin, Belicën dhe Hakajn që kanë bërë mjaft mirë në fazën defensive dhe kanë 6 sfida që nuk pësojnë gol. Forma e Kotes ka ardhur disi drejt rënies, por sërish do t’i besohet para mbrojtjes. Solomon në të majtë e Mala në të djathtë, ndërsa në qendër Broja me Bardhin. Kardozo pritet të udhëheqë sërish sulmin.