Nga Endri ÇINARI
Partizani-Vllaznia do jetë kryesfida e javës së 19-të të Superiores. Duel që do luhet ditën e premte në orën 19:00, në stadiumin “arena e Demave” në kryeqytet. 90 minutësh që mbyll po ashtu aktivitetin futbollistik për vitin 2024 për të dy ekipet. Që edhe këtë sezon 2024-25 shfaqen si pretendentë për titullin kampion në Superiore. Dhe përballja e së premtes pritet me kuriozitet për të dy skuadrat.
Dhe çuditërisht në këtë ndeshje do vihen përballë ekipi me sulmin më të mirë dhe ai me mbrojtjen më të mirë. Kështu pas 18 javësh në kampionat që përkon me gjysmën e edicionit, Vllaznia ka shënuar 29 gola. Duke qenë ekipi që ka shënuar më shumë, ku pas shkodranëve vjen Dinamo me 28 gola të shënuar deri më tani në kampionat.
Nga ana tjetër qëndron Partizani, ekipi që e ka nxjerrë topin nga rrjeta vetëm 15 herë. Statistikë që e ndan së bashku me Egnatian, ku edhe rrogozhinasit po ashtu kanë pësuar 15 gola pas 18 ndeshjesh. Duke qenë kështu me të kuqtë, dy ekipet që kanë pësuar më pak deri më tani në Superiore. Në kontrast me Vllazninë që pavarësisht se ka shënuar 29 herë po ashtu ka pësuar 23 gola.
Në këtë mënyrë duke qenë ekipi i tretë më i ndëshkuar pas Teutës dhe Skënderbeut që kanë pësuar nga 24 gola. Kështu të premten përballë do jenë sulmi më i mirë, ai i Vllaznisë përballë mbrojtjes më të mirë, asaj të Partizanit. Në një 90 minutësh që patjetër pritet ta bëjë më të bukur atmosferën festive për tifozët e futbollit shqiptar./www.shkodrasport.com/