Partizani prej katër ditësh është vendosur në Pogradec, ku po zhvillon fazën përgatitore.partizaniKy grumbullim është në funksion të ndeshjeve të Ligës së Konferencës kundër Marsakslok e më pas kundër Iberia Tbilisit në rast kalimi të turit të parë. Një nga problemet më shqetësuese të të kuqve përgjatë këtyre dy javëve ka qenë fakti se skuadra nuk ka qenë e plotë. Pas rikthimit të Prekës dhe Buxhelajt, që ishin të angazhuar me Shpresat, mungesat sërish ishin të shumta, pasi përveç Mba, katër afrikanët e tjerë nuk iu bashkuan ekipit.
Bintsuka ka pasur pak ditë më shumë leje për shkak se ishte i grumbulluar me Kombëtaren e Kongos, ndërsa të tjerët duhej të ishin kthyer para më shumë se një jave. Klubi ka hasur vështirësi për të administruar këtë problem dhe komunikimi me lojtarët nuk ka rezultuar i frytshëm deri së fundmi, kur atyre u është dhënë ultimatumi i fundit. Klubi i ka pajisur të gjithë me bileta dhe ka pritur rikthimin e tyre. Kështu, mbrëmjen e djeshme katër lojtarët kanë zbarkuar në Rinas dhe pritet që sot të bashkohen në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës. Në këtë mënyrë, Partizani plotësohet sa i përket skuadrës aktuale, me Shehin, që më në fund ka në dispozicion të gjithë lojtarët.
Të katërt pritet të nisin me një program të veçuar nga të tjerët dhe gradualisht do t’i bashkohen pjesës tjetër të ekipit. Maget e kemi parë në rrjetet sociale që është angazhuar me një trajner personal për të ruajtur formën fizike, çka është një tregues se 21-vjeçari mund të jenë në kushtet e duhura kur të rikthehet. Nga ana tjetër, Bintsuka ka qenë në aktivitet deri vonë, teksa mungojnë informacionet për Sembene.
Mensah pritet të rikthehet për të studiuar tregun për një tjetër destinacion, pasi Partizani synon të ulë numrat në majën e sulmit. Aktualisht në këtë rol skuadra ka pesë lojtarë. Sa i përket merkatos, objektivat e vetme janë dy sulmues krahu, aq të kërkuar prej javësh, por ende nuk është mundur të përmbyllet asnjë operacion.