Klubi i Partizanit ka zyrtarizuar në fundin e merkatos së verës mesfushorin Erald Çinari, i cili këtë verë ka qenë protagonist i një prej “telenovelave” më të diskutuara.

Lojtari u bë pjesë e Deportivo Alavesh, ndërsa më pas u akuzua nga shkodranët se kishte kryer transferimin nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar pasi nuk i ishte dhënë asnjëherë e drejta e transferimit me firmën e kryebashkiakes Ademi.

Gjatë ditëve të fundit, lojtari është kthyer në Shqipëri dhe duket se ka zgjidhur problemet me Vllazninë, pasi i kanë dhënë mundësinë t’i bashkohet Partizanit, siç shpjegon klubi i kuq.

Kryeqytetasit kanë bërë të ditur se kanë blerë kartonin e tij, ndërsa kanë nënshkruar për 3 vite me lojtarin.

NJOFTIMI I PARTIZANIT

Klubi njofton se ka arritur marrëveshjen me KF Vllaznia për blerjen e kartonit të Erald Çinarit me titull definitiv.

Klubi dhe mesfushori shkodran me tipare sulmuese kanë nënshkruar sot kontratën e cila e zyrtarizon 21 vjeçarin për tre vitet e ardhshme pjesë të Partizanit.

Çinari i cili është prezantuar në ambientet e klubit , do të mbajë në fanellë numrin 7 dhe do t’i bashkohet menjëherë ekipit. /vipsport/