Klubi i Partizanit ka konkretizuar në ditët e fundit dy lëvizjet e rëndësishme që ka bërë sa i përket mesfushës dhe sulmit. Afrimi i Xhuliano Skukës kompleton repartin e avancuar të kampionëve në fuqi, ndërsa në mesfushë atyre iu është bashkuar futbollisti Redon Ismaili.

Mesfushori 21-vjeçar shihet si një lojtar me shumë perspektivë dhe pas arritjes së akordit mes palëve, klubi e ka zyrtarizuar sot marrëveshjen nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Redon Ismailin. Mesfushori 21 vjeçar, i cili së fundmi ishte pjesë e Gjilanit, ka firmosur me kampionët një kontratë dyvjeçare, me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon.

Ismaili, pjesëtar i përfaqësueses U-21 të Kosovës i është bashkuar ekipit në fazën përgatitore që po zhvillohet në Antalia të Turqisë”, shkruhej në postimin e të kuqve.