Alban Xhaferi nga sot është zyrtarisht pronari i ri i klubit të Futbollit Vllaznia. Kompanitë që ai përfaqëson janë shpallur fitues të ankandit për blerjen 100 për qind të aksioneve të këtij klubi dhe tashmë mbetet vetëm procedura e lidhjes së kontratës dhe kalimi i të gjithë dokumentacionit në emrin e tij.
Ka qenë institucioni shitës i aksioneve, pikërisht Bashkia Shkodër, e cila përmes një njoftimi të bërë paraditen e së hënës, ka njoftuar shpalljen e fituesit të ankandit. Një proces që nisi më 9 mars të këtij viti dhe për shkak të procedurave dhe ankimimeve të ndryshme, ka zgjatur më shumë sesa duhet, megjithatë në fund gjërat kanë shkuar ashtu si duhet dhe tashmë Vllaznia e ka një pronar.
Ai është Alban Xhaferi, njeriu që solli ndryshimin e madh në klubin shkodran në sezonin e kaluar, duke e shoqëruar me fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe po ashtu, pjesmarrjen pas plot 10 vitesh mungesë në Kupat e Europës.
Me përfundimin e procesit të ankandit, merr fund kësisoj edhe periudha 10 vjeçare e administrimit të Klubit të Futbollit Vllaznia nga Bashkia Shkodër, e shoqëruar me shumë oshilacione e problematika, kulmi i të cilave arriti me rënien në kategorinë e parë në vitin 2018.
Administrimi i Vllaznia me paratë e taksapaguesve shkodranë tregoi se nuk funksionon dhe për këtë arsye, kalimi në duart e privatit ishte domosdoshmëri. Për më tepër që këtë gjë tashmë e kushtëzon edhe ligji i miratuar nga Parlamenti shqiptar. Si rrjedhojë, tashmë ky proces ka marrë fund dhe Alban Xhaferi është pronari i 100 për qind të aksioneve të Klubit të Futbollit Vllaznia.
Për klubin kuqeblu tashmë nis një erë e re, për të cilën të gjithë shpresojnë të jetë po aq e suksesshme sa ajo e sezonit të kaluar dhe në mos më tepër. Që nga sot, zyrtarisht të gjithë duhet të flasin për një Vllazni të re./SHKODRA-SPORT.COM/