Ecuria e fitoreve të Vllaznia U-19 në kampionat është ndalur sot.

Ajo ka barazuar në ndeshjen e rradhës me Kukësin megjithatë, shkodranët jo vetëm kanë ruajtur vendin e parë në renditje por edhe e kanë thelluar edhe me një pikë diferencën me skuadrën e vendit të dytë.

Kukësianët kanë qenë ata të parët që kanë kaluar në avantazh. Madje kanë shënuar dy gola me të njëjtin autor, Domin.

Fillimisht në minutën e 8-të dhe më pas në ’24. Pjesa e parë kësisoj është mbyllur me rezultatin 2-0 për Kukësin.

Një rezultat që padyshim ka vënë në lëvizje kuqeblutë të cilët nuk mund të pajtoheshin dot me këtë disavantazh.

Në ’55 ata kanë fituar të drejtën e një 11-metërshi që është kthyer në gol nga mesfushori Hoxha.

Madje po ky futbollist do të “shpëtonte” Vllaznia U-19 sepse në minutën e 88-të ka shënuar golin e dytë duke barazuar shifrat.

Përfundimisht barazim 2-2 dhe shkodranët kësisoj ndalin këtu serinë prej 15 fitoresh të arritura deri më tani.

Megjithatë pavarësisht rezultatit të sotëm, diferenca e saj me Partizanin e vendit të dytë është thelluar, duke shkuar tashmë në pesë pikë sepse të kuqtë kanë humbur këtë javë.
© shkodrasport.com