Me suksesin e arritur të shtunën në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” kur u shpall kampion në garën e 3000 metrave, atleti shkodran Bledar Mesi ka siguruar titullin e 20-të kampion rradhazi. 37 vjeçari ka zgjedhur pikërisht qytetin e tij të lindjes për të njoftuar edhe dhënien fund të karrierës së tij sportive, një karrierë kjo shumë e suksesshme.
Vetë Mesi në një prononcim të dhënë për mediat, është shprehur I lumtur për gjithçka ka arritur në këto 25 vite sport.” Ky titulli i fundit ishte “qershia mbi tortë” e gjithë karrierës time sportive sepse kam mbi 25 vjet që aderoj në atletikë duke qenë kampion me moshat, me të rinjtë dhe me të rriturit teksa titulli i fituar në Shkodër ka qenë i 20-ti rradhazi i fituar, që nga viti
1999 dhe deri më sot pa ndërprerje.
Për më tepër mbyllja e karrierës në Shkodër ishte diçka edhe më e bukur sepse e mbylla aty ku e kam filluar sportin nën drejtimin e profesor Gëzim Memës që më ka rritur dhe më ka bërë ky sportist që jam sot. Ashtu siç ka rolin e vet edhe trajneri Sami Vorpsi në vitet që unë kam bërë sport për Studentin.
Jam rikthyer dhe kam konkurruar prej vitesh për klubin mëmë- Vllazninë, edhe pse jetoj në Tiranë dhe kësisoj erdhi dhe momenti për të bërë mbylljen, çka erdhi në mënyrën më të bukur të mundshme.Por unë do të jem gjithmonë afër sportit, afër Federatës së Atletikës dhe këtij sporti që më ka dhënë shumë dhe do të mundohem t’i jap edhe unë. Falenderoj gazetarët, publikun, Federatën, familjen time dhe dy fëmijët e mi”- ka thënë ai.
Padyshim që atletë të tillë si Bledar Mesi janë të rrallë për nga mënyra e përkushtimit, e jetëgjatësisë por edhe e sukseseve në këtë sport. Emra të tillë kuptohet që po I mungojnë sportit gjithnjë e më shumë dhe prandaj vlerat e tyre rriten edhe më tepër për ato çfarë kanë bërë dhe dhënë për të.
© shkodrasport.com