Prononcimi një ditë më parë në një prej mediave sportive i ish-presidentit të Vllaznisë Agron Çela se është i gatshëm të kthehet në krye të këtij klubi për të blerë aksionet dhe për të ndërtuar një skuadër kampione, është shoqëruar me interesimin e të tjerë biznesmenëve që duan të kontribuojnë për ndërtimin e një skuadre të madhe. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur megjithatë pranë Bashkisë Shkodër thuhet të ketë patur interes kohët e fundit. Ndoshta ngaqë në verë u tha se aksionet e Vllaznisë do të fillojnë të shiten në janar megjithatë për momentin, kjo duket e bllokuar sepse Bashkia të paktën deri në verën e ardhshme, do të jetë ajo donatorja e vetme e këtij klubi. Nga ana tjetër, edhe dy prej njerëzve që e kanë drejtuar më parë këtë klub, Valter Fushaj dhe Elvis Çela (djali i të ndjerit Myftar Çela), duan të mos e mbyllin këtu kontributin e familjeve të tyre tek sporti. Në ndeshjet e fundit ata kanë qenë të pranishëm në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” (klubi u rezervon gjithnjë një vend), por para se të ndërmarrin ndonjë hap tjetër, duket se së pari, ata duan që t’u njihen kontributet e deritanishme për Vllazninë. Por nëse ka interesim nga biznesmenë të ndryshëm për blerjen e aksioneve të Vllaznisë, atyre nuk u pëlqen një gjë: Dëshira e drejtuesve të Bashkisë që përmes aseteve të ndryshme, të rrisin artificialisht vlerën e klubit. “Nëse ka kaq shumë interes për të rritur vlerën e klubit, pse Bashkia nuk fut aty edhe stadiumin”-ka deklaruar për www.shkodrasport.com, një biznesmen i interesuar për të blerë aksione tek Vllaznia por që nuk dëshiron të dalë me emër ngaqë nuk i pëlqen mënyra si po bëhen disa gjëra tek Vllaznia.
Në foto: Elvis Çela dhe Valter Fushaj në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” në ndeshjen Vllaznia- Skenderbeu