Vllaznia këtë vit po punon fort për të mbledhur të rinjtë më të mirë të Akademisë së saj dhe me dy prej futbollistëve, siç janë Rejan Alivoda dhe Geralb Smajli, duket se kanë goditur në shenjë. Këtë vit, ata si pjesë e ekipit shkodran po luftojnë me Tiranën dhe Partizanin për titullin kampion.
Ky objektiv padyshim është më i rëndësishmi, por jo i vetmi për Vllazninë. Klubet shqiptare, përveç synimeve për të fituar tituj, duhet të nisin edhe të rrisin futbollistë dhe t’i shesin ata, në rast se kanë në plan të jenë të pavaruar financiarisht dhe të funksionojnë si biznese që qëndrojnë vetë në këmbë.
Fatmirësisht, edhe pse ndoshta pak vonë, Vllaznia e ka kuptuar këtë dhe ka arritur të ndërtojë një skuadër të re. Kështu, janë të paktën dy futbollistë, që kanë firmosur kontrata afatgjata me Vllazninë dhe që mund të shiten duke nisur nga vera e ardhshme, për t’i sjellë klubit të ardhura të rëndësishme.
Rejan Alivoda dhe Geralb Smajli janë dy emrat më të rëndësishëm, pikërisht dy “xhevahirët” e nxjerrë këtë sezon nga Akademia Vllaznia, që po shkëlqejnë çdo ditë e më shumë. Megjithatë, e ardhmja e tyre mbetet për t’u parë, nëse ata dëshirojnë të vijojnë sërish në Shkodër apo dëshira e tyre do të jetë për të luajtur përsëri me Vllazninë. Në fakt, edhe fitimi i titullit do t’ua rriste ndjeshëm çmimin dyshes Alivoda-Smajli.
Maringlen ZHIVANI