Kthimi brenda pak vitesh i Elseid Hysajt në një nga futbollistët më të spikatur në Itali ka bërë që klubi i Napolit të monitorojë me kujdes lojtarët shqiptarë, pasi drejtuesit janë të bindur se mund të gjejnë alternativa mjaft cilësore, me kosto të ulët mes radhëve të përfaqësueses kuqezi.
Sipas mediave italiane, duket se drejtori sportiv, Guintoli, ka piketuar një tjetër titullar të prapavijës së përfaqësueses për t’ia shtuar radhëve të napolitanëve në verë.
Klubi tashmë po monitoron Frederik Veselin, një emër i cili fillimisht u prit me mosbesim në radhët e përfaqësueses shqiptare, por më pas arriti të fitonte hapësira me paraqitje bindëse dhe me Panuçin është kthyer në një titullar fiks.
Mbrojtësi është një nga liderët e prapavijës së Empolit, ku është edhe zëvendëskapiten, ndërsa vlerësohet shumë nga drejtuesit e këtij klubi të cilët insistuan që ai të mos largohej në verë, kur lanë të lirë pjesën më të madhe të futbollistëve të cilët nuk arritën t’u siguronin mbijetesën në Serinë A.
Sipas mediave italiane, Napoli po monitoron futbollistin, ndërsa ka një akord parimor “preferencial” për transferimin e tij në verë.
Kjo do të thotë që nëse Empoli merr oferta të tjera për lojtarin, do të lajmërojë Napolin, që do të vendosë nëse do të ndërhyrjë për të siguruar kartonin e 25-vjeçarit apo jo./vipsport/