Jo vetëm ndaj Ilir Dajës, Flamurtari ka detyrime edhe ndaj Shpëtim Duros, një tjetër ish-trajneri. Ndryshe nga Daja, Duro nuk e ka çuar në gjyq Flamurtarin, por ka preferuar ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë miqësore, duke u treguar më xhentëllmen.
Një fakt të tillë, ish-trajneri i Flamurtarit e ka bërë të ditur në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”: “Detyrime Flamurtari ka edhe ndaj meje. Ju besoj se e dini, por kam preferuar që këto detyrime t’i zgjidh në mënyrë miqësore, jo ligjore”, thotë shkurt Shpëtim Duro, i cili nuk ka ndërmend ta hedhë në gjyq klubin vlonjat.
DETYRIMET – Shpëtim Duro e drejtoi Flamurtarin në sezonin 2017-2018. Ai u emërua në krye të stolit vlonjat në shkurt të 2017-ës, kur pasoi Gentjan Mezanin. Duro dha dorëheqjen nga Flamurtari në prill, kur ekipi u eliminua nga Kupa e Shqipërisë nga Skënderbeu në Vlorë.
Nën drejtimin e Duros Flamurtari zhvilloi një sezon të shkëlqyer, pavarësisht se në muajt e fundit i munguan rezultatet. Pas largimit të Duros, drejtimin e ekipit e mori Ardi Behari deri në fund të sezonit.