Drejtori i akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani, ka deklaruar sot se përgjegjësia për rënien e shkodranëve në Kategorinë e Parë ishte plotësisht përgjegjësi e drejtuesve të klubit.

“Arritëm në këtë pikë se e hodhëm ne drejtuesit vetë, duke pasur parasysh se trajneri që vinte ishte i plotfuqishëm. Ai ishet president, trajner, drejtor, të gjitha i bënte trajneri”, tha ai i ftuar në “Procesi Sportiv”.

“Që në fund të janarit unë kam thënë në Këshillin Bashkiak, që është presidenti real i Vllaznisë, që me këtë ritëm Vllaznia do të bijë, është afër rënies.

I dukej shumëkujt por të vijë trajneri me lojtarët e të pretendojnë Europën, kur ka 6 vite që klubi noton në ujëra të turbullta, është tallje për njerëzit.

Rënia është fatkeqësi për gjithë Shqipërinë se të biesh me 1 miliard lekë në Kategori të Parë është fundi”, deklaroi drejtuesi i klubit shkodran.

Për shpenzimet e Vllaznisë

“Vllaznia është rast unik në futbollin shqiptar, kemi 5-6 vite që harxhojmë këto shifra dhe kjo është faj i drejtuesve tonë se çdokush ka qenë i plotfuqishëm dhe nëse e ka pasur trajneri X leke ia kemi trefishuar kontratën.

Kishim lojtarë me tre mijë euro në muaj, shpëtuan në ndeshjen e fundit dhe në vitin tjetër ia bënë 5 mijë euro. Me rënien e Vllaznisë është humbur qytetaria shkodrane”.

Për Partizanin

“Partizani nuk ka luajtur ndaj Kamzës dhe ka lëshuar në atë takim. Ashtu siç e tha edhe Martini, bota është e rrumbullakët”.