Shqetësime pa fund për stafin teknik të Vllaznisë. Nga ndeshja në ndeshje problemet për të shtohen dhe kështu po ndodh edhe në prag të takimit të rradhës me Kukësin.
Dalja e papritur e problemit të Malotës që me shumë gjasa do të mungojë të hënën, sigurisht që ka shqetësuar shumë trajnerin Gjoka.
Megjithatë ky shqetësim nuk është i vetmi. Ditën e sotme, numri 1 i pankinës shkodrane ka marrë një tjetër lajm të keq nga stafi mjekësor.
Një tjetër titullar duket se ka humbur sfidën e rradhës. Bëhet fjalë për mesfushorin Erjon Vucaj.
Dëmtimi i pësuar në ndeshjen ndaj Partizanit, ka rezultuar më i madh nga sa mendohej.
Ai ka probleme në pulpën e këmbës së djathtë dhe ai nuk e ka lënë të stërvitet normalisht. Kështu ka ndodhur edhe ditën e sotme.
Vucaj nuk është stërvitur me grupin por ka provuar të bëjë një stërvitje të diferencuar nën kujdesin e trajnerit të përgatitjes atletike Gjergji Poloska dhe fizioterapistit Ilirjan Haxhaja.
Me shumë të ngjarë, mesfushori jo vetëm që nuk do ta nisë si titullar këtë takim por nuk përjashtohet mundësia që të mos grumbullohet fare as në 18-she.
Gjithsesi, vendimi përfundimtar do të merret ditën e nesërme.
© shkodrasport.com