Pas shumë vitesh, tashmë më në fund, ping-pongu shkodran do të ketë një sallë. Me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, është bërë e mundur që një nga ambientet poshtë tribunave të stadiumit “Loro Boriçi” t’i jepet Shoqatës së Pingpongut Vllaznia.

Pak nga pak, palestra e re ka filluar të frekuentohet edhe nga të rinjtë shkodranë, të cilët po marrin mësimet dhe bazat e para të këtij sporti. Ky është një hap pozitiv për pingpongun shkodran, duke marrë në konsideratë problemet jo të pakta që ka hasur ky sport

Tashmë, brezi i ri që ka pasion pingpongun, do të ketë një sallë me të gjitha kushtet dhe tashmë pritet edhe frekuentimi më i shumtë nga ana e tyre në ambientin poshtë tribunave të stadiumit “Loro Boriçi”.

Prej kohësh në klubin Vllaznia ka patur edhe një ekip të këtij sporti por me numër të reduktuar sportistësh dhe me siguri që shumë shpejt gjërat tani do të marrin rrjedhë tjetër dhe Vllaznia do ta thotë fjalën e saj edhe në këtë sport.
Maringlen ZHIVANI