Lajme te mira per nje tjeter futbollist lezhjan. Pas portierit Simon Simoni qe u tranferua pak muaj me pare tek Eintraht Frankfurt, tashme duket se do te jete rradha e Jordi Jakut per te bere hapin e tij te rendesishem ne karriere, transferimin ne Bundesligen gjermane.
Sipas gazetes “Panorama Sport” Jaku do të transferohet në një klub me emër të Bundesligës. Këtë herë nuk bëhet fjalë për Eitrahtin e Frankfurtit, por për arsye konfidencialiteti nuk bëhet i ditur për momentin emri i klubit gjerman.
Kjo është pjesë e marrëveshjes. Akordi paraprak është arritur, ka vetëm disa detaje të fundit. Bëhet fjalë për një klub me reputacion në futbollin gjerman, që është shpallur edhe kampion në të kaluarën.
DETAJET- Nga burime të gazetës bëhet me dije se rasti i Jakut ndryshon nga ai i Simonit. Nuk është shitje përfundimtare kjo e mesfushorit, pasi Dinamo do të mbajë edhe një përqindje të lartë të kartonit, që shkon deri në 40%.
Blutë pritet të përfitojë 200 mijë euro nga shitja, por mund të fitojë sërish në të ardhmen, nëse mesfushori 17-vjeçar shitet nga klubi gjerman në një klub tjetër. Hedhja e firmës dhe prezantimi i lojtarit do të bëhen sapo ai të mbushë 18 vjeç.
Kjo do të ndodhë 27 marsin e ardhshëm dhe deri atëherë Jaku do të jetë pjesë e bluve. Aktualisht mund të thuhet se ka një parakontratë mes palëve, nga e cila Dinamo përfiton menjëherë 100 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet nga bonuset.
Për klubin kryeqytetas është një tjetër lëvizje e rëndësishme sa u takon shitjeve, pas asaj të portierit Simoni. Që një klub shqiptar të çonte brenda një sezoni dy lojtarë në nivelin më të lartë të futbollit gjerman, ishte e paimagjinueshme.
Dinamo ka bërë mirë në këtë drejtim, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme, përveçse ka arritur objektivin sezonal.
ECURIA- Jaku ka luajtur 5 ndeshje këtë sezon me fanellën e Dinamos, por ka rënë në sy me lojën e tij te Kombëtarja U17.
Talenti i tij nuk vihet në diskutim, madje vite më parë ai ka kaluar me sukses një provë tek Ajaksi, ku lëvizja nuk u bë e mundur për shkak të moshës dhe disa modaliteteve të tjera.