Dy ditë më parë qarkulloi lajmi se drejtuesit e Tiranës kishin shfaqur interes për njërin nga lojtarët e Vllaznisë, pikërisht mesfushorin Ardit Krymi të cilit do t’i ofronin dyfishin e rrogës që merr aktualisht tek kuqeblutë. Një lajm i tillë u injorua nga klubi shkodran ngaqë lojtari ka edhe dy vite kontratë me ta. Edhe vetë mesfushori në fakt mohoi të kishte kontakte me bardheblutë. Por lajmet e merkatos nuk mbyllen këtu.
Siç raporton “Sport Ekspres”, takimi ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë ka tërhequr edhe vëmendjen e klubit të kuq. Drejtuesit e Partizanit, Antonelo Preiti dhe Genc Tomori, janë parë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Drejtori sportiv erdhi i pari dhe më pas në stadium u shfaq edhe Genc Tomori. Qëndrimi i tyre në stadium nuk është i rastësishme. Preiti dhe Tomori kanë vëzhguar me vëmendje lojtarët e të dy ekipeve për të pikasur ndonjë futbollist që mund t’u bëjë punë “demave”.Drejtuesit e Partizanit kanë qëndruar vetëm pjesën e parë, më pas janë larguar nga stadiumi. Burime të ndryshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije se drejtuesit kanë vëzhguar nga afër Ardit Krymin e Vllaznisë dhe Erion Hoxhallarin e Tiranës. Mesfushori dhe mbrojtësi kanë zgjuar interesimin e ekipit të kuq dhe po mbahen në vëzhgim nga skuadra kryeqytetase.
KRYMI – Largimi i sigurt i La Kamerasë, në janar ose në verë, krijon hapësira për mesfushorin e Vllaznisë. Shkodrani mban peshën e mesfushës kuqeblu prej disa sezonesh dhe tashmë kërkon që të përjetojë një aventurë të re, pasi në Shkodër, atmosfera rreth e përqark skuadrës është mbytëse.
21-vjeçari është një dëshirë e hershme e Partizanit, pasi e vëzhgon prej dy sezonesh, por kontrata e tij me klubin ka qenë gjithmonë problem. Mesfushori ka kontratë deri në vitin 2020. Vllaznia nuk e liron pa paguar për kartonin e tij. Krymi duket se do të qëndrojë deri në verë te Vllaznia, pastaj mund të provojë një aventurë tjetër. Partizani nuk është i vetmi klub që ka shfaqur interes për futbollistin, pasi në garë për të janë edhe ekipet e tjera. Mosha e re dhe cilësia që shfaq në fushën e lojës të bën të mendosh se Krymi është investim i sigurt.
© shkodrasport.com